E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritje e ndjeshme e vizitorëve në zonat e mbrojtura, mbi 250 mijë vetëm në mars

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Zonat e mbrojtura në Shqipëri kanë shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve, veçanërisht gjatë muajit mars duke reflektuar interesin në rritje për turizmin natyror.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj tha sot se “ekoturizmi po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në Shqipëri, me një rritje të ndjeshme të vizitorëve në zonat e mbrojtura gjatë muajve janar–mars 2026”.

Sipas shifrave të publikuara nga Jaupaj, vetëm në mars, numri i vizitorëve arriti në 251,516, ose 27% më shumë krahasuar me një vit më parë ku numri i vizitor.

“Nga Korça, në Fier e Durrës, gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin natyrën, parqet dhe peizazhet e mbrojtura si destinacion për të pushuar, eksploruar dhe përjetuar një turizëm të qëndrueshëm”, theksoi Jaupaj.

Në muajin mars zonat e mbrojtura më të vizituara janë ato në Korçë me 88 250 vizitorë, në Fier me 55 621 vizitorë dhe Durrësi me 29 680 vizitorë.

Destinacione të njohura për bukuritë e tyre natyrore, si zonat malore, pyjet dhe lagunat, po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë që kërkojnë eksperienca të qeta dhe të lidhura me natyrën.

Kjo rritje lidhet edhe me promovimin më të madh të turizmit të qëndrueshëm, si dhe me përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve në disa prej zonave të mbrojtura.

Zgjerimi i zonave të mbrojtura në Shqipëri synon të rrisë integritetin e këtyre zonave, për gjendjen e paprekur të tyre, krahasuar me zona të tjera të vendit, për biodiversitetin e lartë dhe për habitatet e rralla që bartin.

Gjatë 2025 këto zona u vizituan nga 5.9 milionë vizitorë, kjo falë edhe punës dhe pasionit të administratave të zonave të mbrojtura që në çdo stinë kujdesen për menaxhimin, mikpritjen e “mysafirëve” dhe ruajtjen e biodiversitetit.

1 nga 2

/k.s/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›