E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rritje e qëndrueshme, por jo pa rreziqe – Sipërmarrja dhe eksportet, prova e vërtetë e rritjes ekonomike

Raporti Tremujor i Politikës Monetare (2025/IV) i Bankës së Shqipërisë tregon se ekonomia shqiptare vijon të rritet “pranë potencialit të saj”, megjithëse me një ngadalësim krahasuar me tre vitet e fundit.

“Ofron premisa për një shfrytëzim të mirë të faktorit punë dhe të faktorit kapital. Është vënë re një rritje e lehtë e inflacionit në 3 mujorin e tretë të 2025. Nga niveli mesatar 2.3 5 në 2.4 %”, u shpreh Drejtori i Departamentit të Politikës Monetare, Erald Themeli.

Megjithëse raporti e përshkruan klimën e biznesit si të qëndrueshme dhe të mbështetur nga kredi të favorshme dhe norma të ulëta interesi, aktiviteti sipërmarrës mbetet nën potencialin e tij real. Pavarësisht bilanceve të shëndetshme dhe besimit pozitiv në ekonomi, sipërmarrjet shqiptare përballen me mungesë fuqie punëtore, kosto të larta të prodhimit dhe akses të kufizuar në tregjet e huaja sfida që kufizojnë zhvillimin afatgjatë dhe inovacionin.

“Nisur nga ecuria e normave të ulëta të interesit, nisur nga gjendja e bollshme e likuiditetit nisur dhe nga nja stabilizim më i lartë i kursit të këmbimit ne gjykojmë se kushtet monetare dhe financiare në ekonomi mbetën stimuluese për aktivitetin ekonomik”, tha ai.

Nga ana tjetër raporti gjithashtu tregon se përgjatë 2025 eksportet shqiptare kanë shënuar ngadalësim, të ndikuara kryesisht nga rënia e sektorëve të materialeve të ndërtimit dhe metaleve, që kontribuuan negativisht me 7.9 pikë përqindjeje. Ndonëse eksportet e shërbimeve, veçanërisht turizmi, patën rritje të moderuar, ato nuk mjaftuan për të kompensuar rënien e mallrave. Kjo tregon varësi të lartë nga mallrat bazë dhe mungesë diversifikimi, duke e bërë strukturën eksportuese shqiptare të ndjeshme ndaj luhatjeve në tregjet e jashtme.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›