Rrjeti i muzeve të Shkodrës, synohet këtë vit të arrihet shifra 28 mijë vizitorë

Rrjeti i Muzeve të Shkodrës, që përfshin tre muzetë (të Kalasë, Dëshmisë e Kujtesës dhe atë Historik), po përgatitet për sezonin e ri turistik. Drejtori i Muzeut Historik, Sokol Parmeza, këtë vit ka pritshmëri më të lartë sesa viti i kaluar për sa i përket vizitorët, të cilët synohet të arrijnë në 28 mijë nga rreth 25 mijë në 2024-ën.
“Për këtë vit ne parashikojmë dhe një tejkalim të kësaj shifre gjë që shpjegohet jo vetëm me rritjen e interesimit me njohjen dhe zbulimin e historisë së Shqipërisë dhe rajoneve të saj. Për vitin aktual pritshmëritë tona janë më të mëdha dhe besoj se do e kalojmë numrin e përgjithshëm të vizitorëve në gjithë muzeumet e Bashkisë Shkodër. Dhe mënoj se edhe në vizitat kulturore do e kapim shifrat prej 28 mijë vizitor”, u shpreh drejtori i Muzeut Historik të Shkodrës, Sokol Parmeza.
Muzeu qendror i Shkodrës është i vendosur në një nga godinat historike dhe karakteristike shkodrane, duke e shndërruar këtë institucion kulturor në një muze unik në qytet, që nga ndërtesa e deri tek objektet e tij. Gjatë vitit 2024, rrjeti i muzeve të Shkodrës, regjistroi një rritje prej 10 % të vizitorëve krahasuar me vitin 2023, duke dëshmuar interesin në rritje për trashëgiminë kulturore të qytetit.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/