Rrufeja godet çiftin në Florida, shpëtojnë mrekullisht falë ndërhyrjes së kalimtarëve (VIDEO)

Një çift në Florida ka përjetuar momente tmerri pasi u godit nga rrufeja teksa po ecte dorë për dore në një shteg. Aaron dhe Claire Wallenga po ktheheshin në këmbë pasi kishin lënë fëmijët në kishë, kur një rrufe i goditi papritur, duke i rrëzuar përtokë.
Kalimtarët nxituan menjëherë për t’i ndihmuar, ndërsa Claire kishte ndaluar së marrë frymë. Michael Sacchetti Weyant, i cili nuk kishte kryer më parë reanimim kardiopulmonar, nisi t’i bënte CPR gruas, ndërsa pak më vonë mbërritën edhe efektivët e policisë, të cilët vijuan ndihmën.
Çifti qëndroi disa ditë në spital dhe më pas u rikuperua. Claire pësoi një tronditje dhe pati përkohësisht probleme me kujtesën afatshkurtër, ndërsa Aaron tregoi se pas goditjes nuk mund të lëvizte gjymtyrët dhe përjetoi “dhimbjen më të fortë të jetës”. “Pamë kaq shumë mrekulli, nga reanimimi i Claire deri te fakti që ju të katër ishit aty në shteg në atë moment”, tha ai.
Çifti u shpreh mirënjohës ndaj Zotit dhe njerëzve që ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë. “Dhurata e jetës është kaq e bukur”, tha Claire pas përvojës së rëndë. Sipas të dhënave të raportuara, këtë vit në Florida janë regjistruar gjashtë viktima si pasojë e goditjeve nga rrufeja.