Rruga e vjetër e Velipojës, e amortizuar, banorët: Duhet të mirëmbahet, vështirësi edhe për nxënësit

Pas ndërtimit të rrugës së re Shkodër-Velipojë, aksi i vjetër ka mbetur në harresë. Ndonëse vetëm 3 km rrugë deri tek lidhja me rrugën e re, ky aks përshkohet nga banorët e zonës së Bërdicës dhe Trushit, të cilët kërkojnë ndërhyrje
E dëmtuar dhe jashtë standardeve, kjo rrugë është kthyer në një problem të përditshëm për banorët e zonës. Sipas tyre, pas ndërtimit të rrugës së re që lidh Shkodrën me Velipojën, ky segment është lënë në harresë nga institucionet përgjegjëse.
Banorët theksojnë se situata bëhet edhe më problematike për shkak se në këtë zonë ndodhet shkolla, çka ndikon drejtpërdrejt në lëvizjen e fëmijëve.
Ky segment rrugor tashmë ka kaluar në administrim të Autoritetit Rrugor të Veriut me qendër në Shkodër. Bëhet fjalë për vetëm 3 kilometra rrugë, deri në pikën e lidhjes me aksin e ri Shkodër–Velipojë, një distancë e shkurtër që kërkon ndërhyrje dhe mirëmbajtje të menjëhershme. Ndërkohë, kjo rrugë përshkohet çdo ditë nga rreth 300 familje të zonës, të cilat presin që premtimet për rikonstruksion të konkretizohen sa më shpejt.
Gazetare : Merisa Gjoni
/rtsh.al/