Rubio uron Serbinë, mesazh për Dialogun – Uashingtoni kërkon njohje të ndërsjellë dhe largim të ndikimit rus në rajon

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar Serbinë për ditën e shtetësisë duke vlerësuar historinë e gjatë të miqësisë mes dy vendeve. Përmes një mesazhi zyrtar, ai theksoi se Uashingtoni synon të rrisë investimet dhe të forcojë lidhjet tregtare me Beogradin.
Rubio e cilësoi Serbinë si një partner kyç për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë në mbarë Ballkanin Perëndimor. Ky urim vjen pas takimit në Davos, ku presidenti Vuçiç pranoi se ka marrë dy kushte për nisjen e dialogut strategjik.
Njëri prej kushteve lidhet me fushën e energjisë, ndërsa tjetri ka natyrë të pastër politike për integrimin e rajonit. SHBA kërkon me ngulm reduktimin e varësisë energjetike nga Rusia dhe largimin e ndikimit kinez në Ballkan. Në dokumentet e nënshkruara nga Presidenti Trump, kërkohet gjithashtu përparim i menjëhershëm në bisedimet me Kosovën.
Akti amerikan i mbrojtjes mbështet arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që duhet të bazohet te njohja e ndërsjellë. Edhe pse fillimi i këtij dialogu strategjik ishte njoftuar kohë më parë, procesi zyrtar ende nuk ka nisur.
Uashingtoni pret që gjatë vitit të ardhshëm palët të thellojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme. Për momentin, diplomacia amerikane mbetet e fokusuar te forcimi i prosperitetit ekonomik dhe zgjidhja e nyjeve të vjetra ballkanike.
Gazetare: A. Mata
/rtsh.al/