E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Nishani hodhi tri firmat e para pa marrë nishan

Gjate seances se djeshme ne kuvend

Kreu i Grupit të PS akuzon Presidentin për SHISH, KLD dhe FA.

Të mos jetë noter i Kryeministrit, por garant i Kushtetutës

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, akuzoi dje Presidentin Bujar Nishani se me firmat e para plotësoi kërkesat e maxhorancës. Ruçi theksoi se kreu i shtetit zëvendësoi në mënyrë të njëanshme kreun e SHISH, gjeneralët e Forcave të Armatosura dhe nënkryetarin e KLD-së. Pa kaluar as një muaj nga marrja e detyrës së lartë të Presidentit të Republikës, Nishani hodhi menjëherë tri firmat e para. Siç thuhet në terminologjinë ushtarake, pa marrë shënjestër fare apo, siç thuhet në zhargonin popullor, pa marrë fare nishan. Nuk mori nishan, kur në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë zgjodhi një militant partie dhe me një performancë aspak dinjitoze në organet e Drejtësisë. Nuk mori fare nishan, kur në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar, pa iu tharë ende boja e propozuesit Kryeministër, vendosi një drejtues me një të kaluar të zezë, që të rikujton kohën e SHIK-ut 92-97. E si të mos mjaftonte kjo, edhe një person me dy shtetësi. Nuk mori aspak nishan, kur në krye të Forcave Detare dekretoi një ushtarak të lartë të arsimuar për Forcat Tokësore, theksoi Ruçi.
Apeli
Socialisti Gramoz Ruçi, duke përdorur terminologjinë ushtarake, kërkoi nga Presidenti që në shkrepjen e radhës të marrë mirë nishan. Kur zoti Nishani ka qenë një oficer i thjeshtë i Ushtrisë, gjëja e parë që u mësonte ushtarëve, rezervistëve apo studentëve, ishte që ata të mësonin të merrnin nishan duke vënë në një vijë të drejtë thepin, shtjekëzën dhe objektivin. Kurse sot në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës duhet të dijë se: Thepi nuk është mikropjesë e thjeshtë e pushkës, por është Kushtetuta e vendit. Shtjekëza nuk është një pjesë tjetër apo mikropjesë tjetër e pushkës, por është uniteti i popullit. Objektivi nuk është një tabelë e thjeshtë kompensate me një fotografi të armikut të radhës, por është siguria kombëtare. Natyrshëm pyesim: Kur bëri betimin z.President, u betua se do të ishte garant i Kushtetutës, garant i unitetit, garant i sigurisë kombëtare? Prandaj sot, në ditën e parë të sesionit parlamentar, opozita i kërkon Presidentit të Republikës të mos e shkrepë më pa e vënë në sy e pa marrë nishan. Sot, në ditën e parë të sesionit parlamentar, i themi Presidentit se nuk je një noter i Kryeministrit, po jeni noter i Kushtetutës, garant i saj, garant i unitetit dhe i sigurisë kombëtare, u shpreh kreu i Grupit të PS.
Akuzat
Kreu i Grupit të PS-së akuzoi maxhorancën se nuk dëshiron në të vërtetë marrjen e statusit të vendit kandidat, por i intereson kapja e institucioneve të pavarura. Në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar, Ruçi deklaroi se prej kohësh opozita ka propozuar një sërë paktesh për të plotësuar 12 prioritetet e KE-së. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së deklaroi më tej se maxhoranca po tenton të kapë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, që në këtë mënyrë të fshehë korrupsionin qeveritar. Nuk ju interesonte marrja e statusit të vendit kandidat për BE, po ju interesonte kapja e kryetarit të Shërbimit Informativ Kombëtar jo në shërbim të interesave kombëtare, por në shërbim të interesave tuaja personale. Nuk ju interesonte marrja e statusit të vendit kandidat po ju interesonte kapja, menjëherë, e prokurorit të Përgjithshëm, sipas gustove tuaja, për të mbuluar krimin dhe korrupsionin qeveritar. Nuk ju interesonte marrja e statusit të vendit kandidat po ju intereson kapja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë për të certifikuar zullumet tuaja dhe të shpurës suaj qeveritare, deklaroi Ruçi. Duke folur për çështjen e imunitetit, Ruçi deklaroi serish votën pro të opozitës, por kjo nismë të votohet me paketën kushtetuese në Kuvend. Kreu i Grupit të PS-së deklaroi se opozita do të angazhohet në një front qytetar për të larguar qeverinë e korruptuar. Është momenti për ta çmontuar pushtetin tuaj abuziv, për tu larguar përfundimisht nga rruga penguese për Shqipërinë europiane si shansi i vetëm për të ndalur korrupsionin qeveritar, për të ndalur copëtimin e territorit të vendit, për të ndalur plaçkitjen e pasurisë kombëtare, për të ndalur rrënimin ekonomik e social të vendit, për të ndaluar korrupsionin, u shpreh Ruçi.

Patozi: Nuk do ti miratojmë paçavuret e PS për Kushtetutën

Astrit Patozi

Kreu i Grupit Parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, deklaroi dje votën kundër të shumicës për paketën kushtetuese të propozuar nga opozita. Patozi e konsideroi si paçavure draftin e opozitës për ndryshimet kushtetuese, duke thënë se një nismë e tillë është depozituar në Kuvend për të mos u votuar kurrë. Demokrati theksoi se propozimet e të majtëve synojnë të kthejnë një krizë të thellë në institucionet e Drejtësisë, siç ishte me zgjedhjen e Presidentit. Nuk kemi asgjë për të fshehur, po ta themi qysh sot se nuk kemi ndërmend ti miratojmë paçavuret e depozituara. Por sigurisht ne do të respektojmë deri në fund të drejtën e opozitës për tia futur edhe kot. Ndaj do të zbatojmë çdo normë procedurale në shqyrtimin e nismës së Partisë Socialiste. Kjo nuk është çështje dëshire apo vullneti të munguar, por ne nuk mund të marrim seriozisht një gjë që Edi Rama dhe Grupi Parlamentar i PS-së e ka sjellë në Kuvend thjesht dhe vetëm si një pretekst për të zvarritur votimin e kufizimit të imunitetit dhe reformat e tjera të integrimit. Është thjesht një mënyrë e trashë për të bllokuar statusin, u shpreh Patozi. Duke folur për akuzat ndaj Presidentit Nishani, demokrati Patozi theksoi se maxhoranca nuk do të bëjë mbrojtjen e kreut të shtetit dhe se opozita betejën elektorale e ka me PD-në. Patozi apeloi ndaj elektoratit ta shpëtojë maxhorancën nga e majta, që sipas tij bllokon integrimin e vendit. Na shpëtoni prej tyre, sepse kjo është opozita e vetme në botë që, për veset e veta, i ruan brinjët edhe qeverisë. Kjo është opozita e vetme në botë që për inat të PD-së, ka tre vjet që bllokon integrimin e vendit të vet. Zgjedhjet janë pas dhjetë muajsh. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme, deklaroi Patozi.

Topalli: Ligjet për integrimin smiratohen pa votën e opozitës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›