Run-DMC rikthehen pas më shumë dhjetë vjetësh pauze

Pas më shumë se dhjetë vjetësh pauze, hip-hop bendi i shkollës së vjetër nga New York njoftoi kthim në skenën e “Fun Fun Fun Fest” të Teksas që do të mbahet gjatë vjeshtës, raporton ABC News. Anëtarët e mbijetuar të bendit, Joseph "Run" Simmons dhe Darryl "DMC" McDaniels, do të performojnë në festivalin që do të mbahet nga 2 deri në 4 nëntor në qytetin e Austin. Festivali filloi në vitin 2006 dhe është i njohur për përpjekjet që t’i mbledhë artistët hip-hop, indie dhe heavy metal.
Run-DMC në vitet e 80-ta është themeluar prej Simmons, McDaniels dhe Jason "Jam- Master Jay" Mizell, ndërsa bendi shumë shpejt ka marrë drejtimin e hip-hop muzikës me albume të tilla si "Raising Hell" dhe "Tougher Than Leather".
Gjatë viteve 90-të nuk kanë regjistruar rregullisht, por secili anëtar u orientua në projekte private.
Mizell, gjatë vitit 2002 u vra në studion e tij në Queens, ndërsa vrasja e tij nuk është zbardhur ende. Pas vdekjes së Mizellit, Simmons dhe McDaniels kanë njoftuar edhe zyrtarisht shpërbërjen e bendit.
Ende nuk dihet nëse Run-DMC pas rikthimit me performanca do të shkojnë edhe në turne.