E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi shkarkohet presidenti i Dagestanit

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shkarkoi nga detyra guvernatorin e rajonit të trazuar të Dagestanit, ku një kryengritje separatiste e militantëve islamikë është në zhvillim.

Magomedsalam Magomedov u emërua president i kësaj republike në vitin 2010, por është treguar i paaftë të vendosë nën kontroll lëvizjen e konsideruar si terroriste nga Moska, Uashingtoni dhe Bashkimi Europian.

Në bazë të vendimit të Putin, ish-guvernatori zhvendoset në një punë zyre në Kremlin, ndërsa Ramzan Abdulatipov, një deputet i partisë në pushtet të “Rusisë së Bashkuar”, merr vendin e presidentit të Dagestanit.

Atentatet politike, sulmet me bombë dhe shkëmbimet e zjarrit janë ngjarje të zakonshme në Dagestanin e sotëm, i cili ka zëvendësuar Çeçeninë si krahinën më problematike ruse.

Militantë fondamentalistë, në zonën me shumicë muslimane, kanë deklaruar se dëshirojnë të shndërrojnë Dagestanin në një kalifat islamik, i cili do të përfshijë të gjithë Kaukazin e Veriut.

Megjithatë, sipas analistëve, grupimet kriminale të lidhura ngushtë me aktivitete të paligjshme të mafias ruse, janë përgjegjëse për një pjesë të mirë të trazirave në këtë zonë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›