Rusia bombardon Ukrainën, disa të plagosur gjatë sulmeve në Kharkiv

Ndërsa miliona ukrainas festojnë ditën e Krishtlindjes, Rusia ka nisur një sulm të madh raketor në infrastrukturën energjike të vendit. Të paktën 6 persona janë plagosur nga sulmet ajrore ruse në Kharkiv.
Një goditje me dron shkaktoi gjithashtu një zjarr dhe dëmtime në një shtëpi.
Ndërkohë, kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë thotë se Rusia ka goditur termocentralet e saj duke shkaktuar dëme serioze në pajisje. Kufizime të energjisë elektrike ka patur kryesisht në Kiev, Dnipropetrovsk dhe Odesa.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka cilësuar atë si një “zgjedhje të vetëdijshme” nga Putini.
“Çdo goditje masive ruse kërkon kohë për t’u përgatitur. Nuk është kurrë një vendim spontan. Është një zgjedhje e ndërgjegjshme jo vetëm e objektivave, por edhe e kohës dhe datës. Sot, Putini zgjodhi qëllimisht Krishtlindjet për një sulm. Çfarë mund të ishte më çnjerëzore?”, tha Zelensky.
Zelensky theksoi se punonjësit po punojnë për furnizimin me energjinë elektrike.
“Më shumë se 70 raketa, duke përfshirë ato balistike, dhe më shumë se 100 drone sulmuese. Ata vazhdojnë të luftojnë për një ndërprerje të energjisë në Ukrainë. Sipas të dhënave paraprake, mbrojtësit tanë arritën të rrëzojnë më shumë se 50 raketa dhe një pjesë të konsiderueshme të dronëve. Deri më tani, ka ndërprerje në disa rajone. Punonjësit po punojnë për të rivendosur furnizimin me energji elektrike. sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Presidenti.
Ndërsa Rusia nisi sulmet ajrore anembanë Ukrainës qytetarët në Kiev janë strehuar në stacionet e metrosë. /vizionplus.tv