E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia breshëri dronësh e raketash, dhjetëra të plagosur, në Gjenevë mbahen bisedimet SHBA-Ukrainë

Pavarësisht përpjekjeve të diplomacisë  për përfundimin e luftës, Rusia nuk i ka ndalur sulmet në Ukrainë.  Si pasojë dhjetëra persona janë plagosur, mes tyre edhe fëmijë.

Zelensky: Mbrëmë Rusia i shpalli përsëri luftë infrastrukturës kritike dhe ndërtesave të zakonshme te banimit. 420 dronë, shumica e tyre “shahedë”, dhe 39 raketa të llojeve të ndryshme përfshirë 11 balistike, u qëlluan drejt popullit tonë. Shkatërrime janë regjistruar në tetë rajone, me shumë shtëpi private dhe pallate të dëmtuara. Deri më tani, dhjetëra njerëz raportohen të plagosur si pasojë e këtij sulmi, përfshirë fëmijë. Objektet e infrastrukturës së gazit në rajonin e Poltavas u vunë gjithashtu në shënjestër, së bashku me nënstacionet elektrike në rajonet e Kievit dhe Dnipros.

Këto sulme i paraprijnë  një takimi kyç që  pritet të  mbahet sot  në Zvicër, ku sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes të Ukrainës, Rustem Umerov, do  të takohet me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe këshilltarin e Trumpit, Jared Kushner.

Bisedimet do  të përqendrohen në një “paketë prosperiteti” të projektuar për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës, teksa do të hidhen hapa për organizimin e një samiti potencial trepalësh me Rusinë, që mund të mbahet në mars, sipas zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë

Megjithatë Moska vazhdon të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga territore shtesë në rajonin lindor të Donjeckut, një kërkesë që Kievi e ka refuzuar në mënyrë kategorike.

Ndërkohë  paralelisht  në të njëjtin vend pritet të  zhvillohen bisedimet edhe mes  Uashingtonit dhe Teheranit. Raundi i tretë i bisedimeve pritet të ndodhë në një kohë kur presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton mundësitë për veprim ushtarak, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje për ta frenuar programin bërthamor të Iranit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›