E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rusia do të zbatojë marrëveshjen për eksportet e grurit ukrainas

Përpjekjet diplomatike kanë shpëtuar sot marrëveshjen, që lejon grurin dhe mallrat e tjera ukrainase, të dalin në tregjet botërore. Rusia deklaroi se do t’i përmbahej marrëveshjes, pasi Ukraina u zotua të mos përdor një korridor në Detin e Zi, për të sulmuar forcat ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se Ukraina zyrtarisht është zotuar ta përdorë korridorin e sigurisë për transport midis Ukrainës jugore dhe Turqisë, “në përputhje me përcaktimet e marrëveshjes”.

“Federata ruse beson se garancitë që ka marrë janë të mjaftueshme. Në këtë mënyrë rifillon zbatimi i marrëveshjes”,- tha ministria, duke shtuar se ndërmjetësimi i Kombeve të Bashkuara dhe i Turqisë, siguroi bashkëpunimin e Rusisë.

Rusia pezulloi zbatimin e marrëveshjes së grurit gjatë fundjavës, duke lëshuar akuza për një sulm me dron ukrainas kundër flotës së saj në Detin e Zi në Krime. 

Ukraina nuk e mori përgjegjësinë për sulmin, për të cilin disa zyrtarë ukrainas fajësuan ushtarët rusë që keqpërdorin armët e tyre.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se marrëveshja e rinovuar do të hyjë sërish në fuqi sot, duke i dhënë përparësi dërgesave në vendet afrikane, duke përfshirë Somalinë, Xhibutin dhe Sudanin. 

Kjo marrëveshje është në përputhje me shqetësimet që ka Rusia se shumica e grurit të eksportuar nga Ukraina, kishte përfunduar në vendet e pasura, që kur Moska dhe Kievi arritën në korrik marrëveshje të veçanta me Turqinë dhe OKB-në. Apnews

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›