Rusia kërkon ndihmën e Izraelit për të lehtësuar sanksionet e SHBA-së ndaj regjimit të Asadit

Presidenti rus Vladimir Putin i ka kërkuar kryeministrit izraelit Naftali Bennett që të inkurajojë SHBA-në të lehtësojë disa nga sanksionet e saj ndaj regjimit të Bashar al-Asadit të Sirisë, në mënyrë që kompanitë ruse të mund të marrin pjesë në rindërtimin e vendit.
Faqja e lajmeve “Axios”, duke cituar autoritetet anonime izraelite, tha se Moska dëshiron të marrë shumicën e projekteve në shkallë të gjerë të rindërtimit në Siri në një përpjekje për të rritur të ardhurat dhe duke u përpjekur të rrisë ndikimin e saj në ekonominë siriane.
Raporti thekson se Putin i tha Bennett-it gjatë takimit të tyre në Soçi javën e kaluar se disa kompani ruse kishin frikë të bënin biznes në Siri sepse mund të viheshin në shënjestër të sanksioneve të SHBA-së.
Rusët argumentojnë se sanksionet e SHBA-së hapin rrugën për kompanitë iraniane, të cilat tashmë janë nën sanksione, për t’i marrë projektet kryesore të rindërtimit, duke çuar në një rritje të ndikimit iranian në Siri, shtoi raporti, duke cituar zyrtarë anonimë izraelitë./AA