Rusia sulm ajror në Kiev, Polonia: Raketat ruse shkelën hapësirën tonë ajrore

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi dhe rajoni perëndimor i Lvivit, janë nën një sulm “masiv” ajror rus. Rusia ka nisur një valë të re sulmesh ajrore ku shumica e tyre kanë pasur në fokus Kievin. Pas nisjes së sulmeve e gjithë Ukraina është vënë në gatishmëri, ndërsa banorët janë lajmëruar të mos dalin nga vendstrehimet.
Ushtria ukrainase tha se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore ishin të angazhuara në zmbrapsjen e sulmit dhe se rreth një duzinë raketash ruse u shkatërruan në ajër.
Rajoni i Lviv në kufi me Poloninë ishte gjithashtu në shënjestër dhe një nga raketat e ruse hyri në hapësirën ajrore polake. Polonia tha se hapësira e saj ajrore ishte shkelur nga raketat ruse dhe se ka aktivizuar forcat e saj ajrore.
“Objekti hyri në hapësirën polake pranë qytetit Oserdow dhe qëndroi atje për 39 sekonda. Gjatë gjithë fluturimit, ai u vëzhgua nga sistemet e radarëve ushtarakë,” tha forcat e armatosura në një deklaratë.
Komanda Operative e Forcave të Armatosura Polake (RSZ) tha se forcat e saj ishin në një gjendje gatishmërie të shtuar për shkak të “aktivitetit intensiv të aviacionit me rreze të gjatë të Federatës Ruse sonte” dhe sulmeve me raketa në Ukrainë.
“Aeroplanët polakë dhe aleatë janë aktivizuar, gjë që mund të rezultojë në rritje të niveleve të zhurmës, veçanërisht në pjesën juglindore të vendit,” tha ai.
Rusia dhe Ukraina kanë shtuar sulmet e tyre ajrore në javët e fundit. Sulmi terrorist në një sallë koncertesh në Moskë ku u vranë 133 persona ka tensionuar më tej marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Rusisë, ku Putin thotë se autorët kishin kontakte në Ukrainë, ndërsa vetë Kievi Zyrtar mohon përfshirjen.
/rtsh.al/