Rusia thotë se do të evakuojë diplomatët nga Ukraina

Rusia tha se më 22 shkurt, shumë shpejt, do të evakuojë stafin diplomatik nga Ukraina “për të mbrojtur jetën e tyre”, pasi ligjvënësit rusë miratuan kërkesën e presidentit Vladimir Putin, që të përdorë forcën ushtarake jashtë vendit.
“Për të mbrojtur jetën e diplomatëve, udhëheqja ruse ka vendosur që të evakuojë personelin e misioneve të huaja ruse në Ukrainë, vendim që do të zbatohet shumë shpejt”, tha Ministria e Jashtme ruse përmes një deklarate.
Ministria ruse tha e diplomatët kanë pranuar kërcënime dhe se ambasada dhe konsullata ruse kanë qenë “nën sulme të vazhdueshme”.
“Ukraina është zhytur thellë në kaos”, tha Ministria e Jashtme ruse.
Dhjetëra shtete perëndimore kanë zhvendosur ambasadat e tyre nga Kievi në Lviv, qytet që gjendet në kufi me Poloninë, teksa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për muaj me radhë kanë akuzuar Rusinë se po planifikon që ta sulmojë Ukrainën.
Njoftimi për evakuimin e diplomatëve rusë erdhi pak kohë pasi Dhoma e Lartë e Parlamentit rus i dha leje Putinit që ta përdorte ushtrinë jashtë vendit. /REL