E Diel, 1 Nëntor 2026

SARANDE: I vihet tritol dyqanit në mes të qytetit, mister autorët

SARANDE- Një sasi tritoli që shpërtheu dje në një dyqan në qendër të Sarandës ka tronditur banorët e këtij qyteti. Ngjarja ndodhi në Lagjen Nr.3, në një butik veshjesh që ndodhet në katin e parë të një pallati katërkatësh. Persona ende të paidentifikuar kanë vendosur një sasi tritoli në objektin e marrë me qira nga shtetasja Fani Dushaj. Prej dy vitesh ajo tregtonte në këtë mjedis mallra të firmës BSB. Nga burime paraprake policore mësohet se lënda eksplozive, e dyshuar si e ajo e llojit tritol, të ketë qenë në masën e 150 gramëve. Lënda eksplozive ishte vendosur te pragu i derës së jashtme të dyqanit, te qepeni. Si pasojë e shpërthimit nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Është hera e tretë brenda një periudhe kohore prej 3 vitesh që pronarja e butikut bëhet objekt i sulmit me eksploziv dhe grabitje. Në dhjetor të 2009-s, një sasi tritoli është vendosur në automjetin e saj fuoristradë tip Peugeot. Në të njëjtin vit dyqani është vjedhur nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarje kriminale me shpërthime të lëndëve eksplozive dhe grabitje me maska e armë janë bërë fenomene shqetësuese në Sarandë. Pak kohë më parë, policia arrestoi disa persona të dyshuar, ndërsa disa të tjerë janë në kërkim.                            sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›