E Diel, 1 Nëntor 2026

SERBI – Vuçiç: Tërheqja e Kushnerit i kushtoi vendit 750 milionë euro investime

BEOGRAD, 16 dhjetor /ATSH-TANJUG/ – Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha sot se Serbia kishte humbur një investim me vlerë të paktën 750 milionë euro, pasi sipërmarrësi amerikan, Jared Kushner kishte hequr dorë nga planet për të ndërtuar një hotel në Beograd, pas fushatës ndaj ndërtesave të Shtabit të Përgjithshëm.

Në vendin ku ndodhet kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm, i shkatërruar gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, ishte planifikuar ndërtimi i një kompleksi luksoz nga kompania investuese ”Affinity Partners”, e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump, sipas REL.

“Serbia ka humbur një mundësi të shkëlqyer”, u tha Vuçiç gazetarëve, pasi organizoi një pritje për fëmijët serbë nga Vukovari i Kroacisë.

Ai tha se fushata kishte filluar si një “fushatë në mbështetje të një zemërimi bllokues kundër njerëzve që janë përgjegjës dhe që e bëjnë punën e tyre seriozisht”.

”Qëllimi i fushatës ishte shkatërrimi i Serbisë, lënia e saj pa investitorë, pa energji elektrike, paga dhe kryerja e grevave të përgjithshme dhe gjithçkaje tjetër për ta hequr Serbinë nga lista e vendeve të suksesshme”, tha ai.

Vuçiç njoftoi se do të paraqiste personalisht padi penale kundër të gjithë atyre që kishin bërë fushatë kundër investimit.

”Për fat të keq për vendin dhe popullin, ne jemi humbësit e mëdhenj. Kemi humbur një investim të jashtëzakonshëm me vlerë të paktën 750 milionë euro. Dëmi total që na është shkaktuar nga bllokuesit dhe zyra e prokurorit është jo më pak se 1,5 miliardë, në mënyra të ndryshme”, tha Vuçiç./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›