E Diel, 1 Nëntor 2026

SEUL – Koreja e Jugut mbështet përpjekjet e Trumpit për dialog me Korenë e Veriut

SEUL, 20 gusht /ATSH-DPA/-  Koreja e Jugut ka shprehur publikisht mbështetjen për përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për të hapur dialog me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, përfshirë nismën e tij për të reduktuar manovrat e përbashkëta ushtarake mes Seulit dhe Uashingtonit.

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, deklaroi në platformën X se vendi i tij mbështet përpjekjet e presientit Trump për të krijuar kushtet e nevojshme për dialog dhe vendosjen e një regjimi paqeje në Gadishullin Korean, edhe nëse kjo nënkupton reduktimin e stërvitjeve ushtarake me Shtetet e Bashkuara.

Lee tha gjithashtu se e mbështet plotësisht qëndrimin e Trump se Koreja e Jugut duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë në Gadishullin Korean.

Rreth 28 500 trupa amerikane janë të dislokuara në Korenë e Jugut.

Që prej Luftës së Koresë, e cila zgjati nga viti 1950 deri në vitin 1953, Seuli është mbështetur fuqishëm te prania ushtarake amerikane për të parandaluar kërcënimet e jashtme.

Presidenti Trump deklaroi gjatë fundjavës se do të reduktonte ndjeshëm stërvitjet ushtarake të përbashkëta me Korenë e Jugut, duke iu referuar marrëdhënies së tij “shumë të mirë” me Kim Jong Un.

Sipas presidentit amerikan, stërvitjet dërgonin një sinjal “të papërshtatshëm dhe armiqësor” ndaj Koresë së Veriut.

Stërvitja e përbashkët “Ulchi Freedom Shield”, e cila nisi të hënën, do të zgjasë vetëm gjysmën e kohës së planifikuar fillimisht dhe do të përfundojë të premten.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut tha se vendimi për shkurtimin e saj u mor me kërkesë të palës amerikane.

Mediat koreano-jugore raportuan se kjo ishte hera e parë që kjo stërvitje e madhe vjetore shkurtohej në këtë mënyrë.

Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Hyun, tha se qeveria e tij nuk ishte informuar paraprakisht për vendimin përpara se Trump ta publikonte atë në rrjetet sociale.

Koreja e Veriut ka kritikuar ashpër stërvitjet ushtarake. Kim Yo Jong, motra e liderit Kim Jong Un, deklaroi dje, sipas agjencisë shtetërore KCNA, se reduktimi i përmasave dhe kohëzgjatjes së stërvitjeve nuk ndryshonte karakterin e tyre “provokues dhe ofensiv”. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›