E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Biden takohet me Trump dhe premton kalim të qetë të pushtetit

UASHINGTON, 13 nëntor /ATSH/- Donald Trump bëri një rikthim prej fitimtari sot në Uashington – duke vizituar Shtëpinë e Bardhë për një takim gati dy orësh me presidentin Joe Biden dhe duke u angazhuar për një kalim të drejtpërdrejtë të pushtetit – ndërsa presidenti i sapozgjedhur vepron me shpejtësi për të ndërtuar administratën e tij të re, sipas AP.

Të ulur përballë një zjarri në Zyrën Ovale, ish-rivalët shtrënguan duart ndërsa gazetarët ishin të pranishëm.

Biden e quajti Trump “z. president i zgjedhur dhe ish-president”. “Urime. Mirë se erdhe. Mirë se vini përsëri”, tha Biden.

“Faleminderit shumë. Politika është e ashpër. Dhe në shumë raste, kjo nuk është një botë shumë e bukur. Por, sot është një botë e bukur dhe e vlerësoj shumë”, u përgjigj Trump.

“Kalimi i pushtetit – midis administratës në largim dhe asaj të së ardhmes – do të jetë i qetë dhe unë e vlerësoj shumë këtë, Joe”, tha Trump.

Trump, i cili ka kundërshtuar prej kohësh humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj Bidenit, nuk e ftoi Biden në Shtëpinë e Bardhë gjatë kalimit të presidencës katër vjet më parë.

Ky ishte një rikthim i jashtëzakonshëm politik për Trump, i cili u largua nga Uashingtoni në janar 2021 si një udhëheqës i mundur politikisht pasi nxiti një turmë mbështetësish të tij për të sulmuar Kapitolin.

Sot, ai po përgatitet të kthehet në pushtet me atë që ai dhe aleatët e tij GOP e shohin si një mandat për qeverisje.

Pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2016, Trump u takua me presidentin Barack Obama në Zyrën Ovale dhe e quajti atë “një nder të madh”. Por, shpejt u adresua me fyerje të shumta kundrejt paraardhësit të tij.

Trump dukej i qetë në Zyrën Ovale, ndryshe nga viti 2016, kur u shfaq nervoz dhe i nënshtruar kur u takua me Obamën, tetë vjet më parë.

Rishfaqja e Trump vjen mes të zgjedhjeve republikane për udhëheqjen e Kongresit – me potencialin që presidenti i zgjedhur për të patur një ndikim të fortë në rezultat.

Trump e emëroi Elon Musk në një rol këshillues për efikasitetin e qeverisë në administratën e tij të ardhshme.

Disa të afërt me Trump dhe ekipin e tij tani e shohin Musk si figurën e dytë më me ndikim në orbitën e menjëhershme të Trump, pas Susie Wiles, menaxherja e fushatës që është shefija e ardhshme e shtabit të Trump. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›