E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – DASH: Jemi në kontakt me Izraelin pas sulmit në Rafah

UASHINGTON, 27 maj /ATSH-DPA/- Pas sulmeve ajrore vdekjeprurëse të Izraelit pranë Rafahut në Rripin e Gazës, qeveria amerikane tha se po bisedon me ushtrinë izraelite dhe partnerët në terren për të qartësuar rrethanat.

“Pas sulmit të forcave izraelite (IDF) dje në mbrëmje në Rafah u raportuan dhjëtera të vdekur të pafajshëm”, tha sot një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Dhjetëra palestinezë të pafajshëm u vranë gjatë sulmit”, tha ai.

“Izraeli ka të drejtë të ndjekë Hamasin dhe ne e kuptojmë se ky sulm vrau dy terroristë të lartë të Hamasit, të cilët janë përgjegjës për sulmet kundër civilëve izraelitë”, shtoi zëdhënësi.

“Izraeli duhet të marrë çdo masë paraprake të mundshme për të mbrojtur civilët. Ne po angazhohemi në mënyrë aktive me IDF-në dhe partnerët në terren për të vlerësuar atë që ndodhi dhe për të kuptuar se ushtria izraelite po kryen një hetim”, tha zëdhënësi.

Sipas autoritetit shëndetësor palestinez, ushtria izraelite vrau të paktën 45 persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë gjatë sulmit ajror dje në mbrëmje. Shumica e të vdekurve ishin gra dhe të mitur.

Incidenti ka shkaktuar një zemërim dhe shqetësim ndërkombëtar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›