SHBA – DASH: Sulmi ajror vdekjeprurës izraelit ishte i tmerrshëm

GAZA, 30 tetor /ATSH/ – Të paktën 93 persona janë vrarë pas një sulmi ajror izraelit në qytetin verior të Gazës, Beit Lahia, deklaroi ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi, sipas BBC.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e quajtën këtë sulm “të tmerrshëm”.
Ekipet e shpëtimit thanë se një ndërtesë banimi pesëkatëshe u godit dhe videot në mediat sociale treguan trupa të mbuluar me batanije në dysheme.
Ushtria izraelite tha se ishte “në dijeni të raporteve të civilëve të plagosur sot në zonën e Beit Lahia”.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë operuar në veri të Gazës gjatë dy javëve të fundit, veçanërisht në zonat e Jabalia, Beit Lahia dhe Beit Hanoun.
Drejtori i spitalit aty pranë Kamal Adwan në Jabalia, Hussam Abu Safia, deklaroi se fëmijët po trajtoheshin në spital, i cili po lufton për të trajtuar pacientët për shkak të mungesës së stafit dhe ilaçeve.
“Nuk ka mbetur asgjë në Spitalin Kamal Adwan, përveç furnizimeve të ndihmës së parë, pasi ushtria arrestoi ekipin tonë mjekësor dhe punëtorët’’, theksoi Abu Safia.
IDF bastisi spitalin javën e kaluar, duke thënë se ai po përdorej nga luftëtarët e Hamasit.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha se Shtetet e Bashkuara ishin “thellësisht të shqetësuara për humbjen e jetës civile në këtë aksident të tmerrshëm me një përfundim të tmerrshëm”./ /os/