E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – DASH fut në listën e zezë për korrupsion ish-zëvendëskryeministrin e MV, Grubi dhe ish-gjyqtarin e Apelit në MV, Bexheti

UASHINGTON, 9 dhjetor /ATSH/ – Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndërmarrin veprime për mbajtjen e përgjegjësisë për autorët e korrupsionit dhe abuzuesit me të drejtat e njeriut në mbarë botën, sipas https://www.state.gov/accountability-actions-to-counter-global-corruption-and-human-rights/.

Kështu, në seksionin ”Veprimet e ndërmarra për të shpallur përgjegjësitë për korrupsionin”, DASH ka përfshirë ish-zëvendëskryeministrin e MV, Artan Grubi dhe ish-gjyqtarin në Gjykatën e Apelit, në MV, Enver Bexheti me këtë motivacion:

”Në bazë të nenit 7031(c), Departamenti i Shtetit shpall non grata Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkov, drejtor i Administratës për Siguri të Maqedonisë së Veriut dhe Kundërzbulimi (UBK). Mijalkov u shpall non grata në vitin 2022 për korrupsion të konsiderueshëm sipas nenit 7031(c), dhe OFAC e sanksionoi atë në përputhje me E.O. 14033. Në kuadër të këtij aksioni janë shpallur non grata edhe anëtarët e ngushtë të familjes së Grubit”.

Departamenti i Shtetit po ndërmerr gjithashtu hapa të mëtejshëm për të vendosur kufizime të vizave për dhjetëra individë në përputhje me politikat e shumta sipas seksionit 212(a)(3)(C) të Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë.

Për më tepër, DASH ka ndërmarrë veprime nën këtë autoritet për të kufizuar vizat e individëve që kanë mundësuar, lehtësuar ose përndryshe janë përfshirë në korrupsion të rëndësishëm dhe anëtarëve të familjes së tyre të ngushtë./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›