SHBA - Familja e Bruce Willis merr vendimin e veçantë: Truri i aktorit do t’i dhurohet shkencës - ATSH -
LOS ANXHELES, 30 tetor /ATSH/- Familja e aktorit të njohur amerikan Bruce Willis ka marrë vendimin që, pas vdekjes së tij, truri i aktorit të vihet në dispozicion të komunitetit shkencor për studime mbi demencën frontotemporale, sëmundjen neurodegjenerative nga e cila ai vuan, shkruan tgcom24.it.
Vendimi është marrë nga bashkëshortja e tij, Emma Heming Willis, pas konsultimeve me vajzat e aktorit dhe ish-bashkëshorten Demi Moore
. Lajmi është bërë i ditur në librin e Heming, “Një udhëtim i papritur”, ku ajo rrëfen edhe përballjen e familjes me sëmundjen e aktorit.
Në libër, Heming shpjegon se vendimi për dhurimin e trurit është marrë duke marrë parasysh jo vetëm peshën e madhe emocionale, por edhe rëndësinë që mund të ketë për kërkimin shkencor.
Përmes këtij kontributi, studiuesit do të kenë mundësi të analizojnë më në thellësi zhvillimin e demencës frontotemporale, me synimin për të përmirësuar njohuritë mbi sëmundjen dhe për të ndihmuar në zhvillimin e trajtimeve më efektive për pacientët.
Heming e ka cilësuar këtë vendim si “emocionalisht shkatërrues, por shkencërisht të domosdoshëm”. /os/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
