SHBA – Irani hedh poshtë raportet për planin e dyshuar për të vrarë Trump

UASHINGTON, 17 korrik /ATSH-DPA/- Irani ka hedhur poshtë raportet për një plan të dyshuar për të vrarë ish-presidentin amerikan Donald Trump, i cili u plagos gjatë një atentati në një tubim elektoral fundjavën e kaluar.
Transmetuesit amerikanë CNN dhe NBC raportuan se Shërbimi Sekret Amerikan ka rritur sigurinë për Trump në javët e fundit – pasi mori informacion mbi një komplot të mundshëm iranian për ta vrarë atë.
Një zëdhënës i misionit të Iranit në OKB i hodhi poshtë raportet duke i quajtur “të pabaza dhe të motivuara politikisht”.
“Për Iranin, Trump është një “kriminel” që dha urdhrin për të vrarë gjeneralin iranian Qassem Soleimani në vitin 2020″, u citua të thoshte zëdhënësi nga agjencia iraniane e lajmeve Mehr.
“Trump duhet të dënohet dhe ndëshkohet për këtë, por Irani ka zgjedhur rrugën ligjore në këtë drejtim”, shtoi ai.
Soleimani, i cili kishte udhëhequr Forcën elitare Quds të Korpusit të fuqishëm të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), u vra në një sulm me dronë amerikanë në Irak në vitin 2020, ndërsa Trump ishte president.
Sipas raporteve, nuk ka asnjë provë që komploti i supozuar iranian është i lidhur me atentatin ndaj Trumo në tubimin elektoral në Pensilvani.
Trump, i cili po garon për një mandat të dytë presidencial, i mbijetoi sulmit me lëndime në vesh, por një person në turmë u vra. //a.i/