E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – JD Vance fajëson emigracionin për trazirat në Francë

UASHINGTON, 18 tetor /ATSH-DPA/- Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka fajësuar emigracionin për trazirat në Francë.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz protestuan dje në të gjithë Francën kundër rritjes së kostos së jetesës. Gjatë protestave u arrestuan qindra persona.

Në shumë qytete pati grabitje, zjarrvënie dhe dëmtime të pronës.

Persona të maskuar sulmuan bashkitë, komisariatet e policisë dhe ndërtesa të tjera qeveritare.

Në një postim në rrjetin social X, Vance publikoi një video ku shihej bashkia e qytetit të Limoges në flakë.

“Liberalët perëndimorë sollën njerëz nga vendet e Botës së Tretë në Francë dhe në vende të tjera, në emër të diversitetit dhe dhembshurisë. Ata shpërfillën çështje thelbësore, si integrimi i emigrantëve në shoqëri dhe përputhshmëria e tyre me vlerat e shoqërive pritëse”, shkroi Vance.

“Ata u paralajmëruan se kjo do të çonte në një situatë të tillë, por nuk dëgjuan. Lutem që Franca, një vend i bukur me njerëz të mrekullueshëm, t’i japë fund kësaj çmendurie përpara se të digjen edhe më shumë monumente të saj”, shtoi ai.

“Shpresoj që amerikanët po i kushtojnë vëmendje asaj që po ndodh. Kjo është e ardhmja që demokratët në Kongres duan për vendin tuaj”, shtoi zëvendëspresidenti amerikan.

Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA do të mbahen më 3 nëntor.

Në këto zgjedhje do të votohet për të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe për rreth një të tretën e vendeve në Senat. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›