E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Më shumë se 1700 fluturime të anuluara për shkak të “shutdown”-it të qeverisë

UASHINGTON, 8 nëntor /ATSH/- Kriza politike në Uashington ka goditur rëndë transportin ajror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas “Skytg24”.

Vetëm në ditën e parë të “shutdown” (mbyllje e qeverisë), që ka shkaktuar një ulje me rreth 4% të aktivitetit, në 40 aeroporte të vendit janë raportuar mbi 1700 fluturime të anuluara, ndërsa 32 kullat e kontrollit ajror janë prekur nga mungesa e punonjësve.

Sipas të dhënave të qendrës së analizës ajrore “Cirium”, gjatë ditës së djeshme u anuluan gjithsej 1723 fluturime në nivel kombëtar, që përbëjnë 2,1% të rreth 57 600 fluturimeve të planifikuara në të gjithë vendin.

Autoritetet paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet më tej nëse Senati nuk arrin të miratojë një marrëveshje për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë, e cila tashmë konsiderohet si më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean P. Duffy, tha se shifrat janë shqetësuese dhe paralajmëroi se numri i fluturimeve të reduktuara mund të arrijë deri në 20% në ditët e ardhshme, nëse nuk arrihet një zgjidhje politike. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›