E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Mijëra banorë evakuohen ndërsa zjarret përhapen në jug të Kalifornisë

KALIFORNI, 20 maj /ATSH-DPA/- Qindra zjarrfikës luftuan me disa zjarre të pakontrolluara në jug të shtetit amerikan të Kalifornisë në orët e para të mëngjesit, ndërsa ekipet arritën të vinin nën kontroll dy vatra të mëdha, një tjetër zjarr shpërtheu në juglindje të Los Anxhelesit.

Sipas autoriteteve, zjarri i quajtur “Verona”, pranë qytetit Hemet, po përhapet me një ritëm “të rrezikshëm” dhe ende nuk është vënë nën kontroll, paralajmëroi autoriteti shtetëror i zjarreve “Cal Fire”.

Dy persona, një zjarrfikës dhe një civil, pësuan plagë të lehta, ndërsa banorët e disa zonave morën urdhër dje për t’u larguar nga shtëpitë e tyre.

Disa zjarre të tjera ishin aktive gjithashtu në të gjithë shtetin perëndimor amerikan, në fillim të sezonit të zjarreve.

Një tjetër vatër në Ishullin Santa Rosa, pranë brigjeve të Kalifornisë, ishte 26% e izoluar deri dje në mbrëmje, sipas autoriteteve.

Flakët kanë djegur rreth 68 kilometra katrorë brenda vetëm pak ditësh.

Në veriperëndim të Los Anxhelesit, një zjarr pranë qytetit, Lugina Simi është përhapur në afro shtatë kilometra katrorë.

Zjarri “Sandy” ishte vetëm 5% nën kontroll dje, por temperaturat e ulëta dhe dobësimi i erërave po ndihmonin përpjekjet për shuarjen e tij.

Erërat e forta përshpejtuan të hënën, përhapjen e flakëve në kodrat mbi Luginën Simi.

Të paktën një shtëpi është shkatërruar, sipas raportimeve.

Urdhra evakuimi dhe paralajmërime u lëshuan për disa zona. Rreth 29 000 persona u prekën nga masat e emergjencës, por ky numër më vonë ra në rreth 17 000.

Sipas “Los Angeles Times”, zjarri në Ishullin Santa Rosa është më i madhi i dokumentuar në historinë moderne të ishullit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›