E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Nga mishi te kafeja, Trump ul tarifat për mbi 100 produkte ushqimore

UASHINGTON, 15 nëntor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që lejon një gamë produktesh ushqimore, duke përfshirë kafenë, bananet dhe mishin e viçit, t’i shpëtojnë tarifave të tij gjithëpërfshirëse, sipas BBC.

Ky vendim vjen ndërsa administrata e tij përballet me një presion në rritje për shkak të rritjes së çmimeve.

Ndërsa Trump më herët minimizoi shqetësimet në lidhje me koston e jetesës, ai është përqendruar në këtë çështje që nga performanca e dobët e Partisë së tij Republikane në zgjedhjet e javës së kaluar.

Dhjetëra produkte të përfshira në listën e përjashtimeve të Shtëpisë së Bardhë variojnë nga avokadot dhe domatet deri te arrat e kokosit dhe mangot.

Këto mallra, nuk mund të prodhohen në sasi të mjaftueshme brenda vendit.

Trump ka thënë prej kohësh se tarifat e tij – aktualisht një bazë prej 10% ndaj importeve nga të gjitha vendet, me taksa shtesë për shumë partnerë tregtarë – nuk do të çonin në rritje të çmimeve për konsumatorët amerikanë.

Presidenti amerikan argumentoi se taksat ishin të nevojshme për të ulur deficitin tregtar të SHBA-së – hendekun midis vlerës së mallrave që blihen nga vendet e tjera dhe atyre që iu shiten atyre.

Trump tha se SHBA-ja është shfrytëzuar nga “mashtruesit” dhe “plaçkitur” nga të huajt, duke shtuar se taksat më të larta do t’i nxisnin partnerët në SHBA të blinin mallra amerikane në vend të tyre.

Por, kostot e ushqimeve dhe çmimi në rritje i mishit të viçit janë bërë një çështje politike për Trump.

Përjashtimet e fundit sinjalizojnë një përmbysje në vendimet e administratës Trump, pasi Shtëpia e Bardhë kërkon të ulë çmimet duke hequr taksat për disa artikuj ushqimorë bazë.

Duke folur me gazetarët dje, Trump tha se vendimi do të ndikonte në produktet që nuk prodhoheshin në SHBA, kështu që nuk kishte mbrojtje të industrive vendase ose produkteve vendase ushqimore.

Ai shtoi se nuk mendonte se do të kërkoheshin më shumë lehtësime të politikave në të ardhmen.

“Ne thjesht bëmë një lehtësim të vogël për disa ushqime, si kafeja, ku çmimet ishin pak të larta”,tha Trump.

Ekonomistët kanë paralajmëruar se kompanitë do ta kalojnë koston e tarifave te klientët e tyre në formën e çmimeve më të larta.

Ndërsa inflacioni mbeti më i butë nga sa kishin pritur shumë analistë në shtator, shumica e artikujve në raportin e inflacionit të Departamentit Amerikan të Punës treguan rritje çmimesh, me ushqimet që u rritën me 2,7% nga viti i kaluar.

“Përjashtimet e reja të administratës Trump nga tarifat për produktet ushqimore hyjnë në fuqi në mënyrë retroaktive më 13 nëntor”, tha Shtëpia e Bardhë.

Në një tjetër veprim për të adresuar shqetësimet midis konsumatorëve në lidhje me çmimet e ushqimeve, administrata Trump tha se taksat e importit për kafenë dhe bananet do të uleshin si pjesë e marrëveshjeve tregtare me katër vendet e Amerikës Latine.

Këtë javë, Trump dhe sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, u zotuan se do të ulnin çmimet e kafesë me 20% në SHBA, këtë vit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›