E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Presidentja zvicerane në Uashington për të shmangur tarifën prej 39 %

ZYRIH, 6 gusht /ATSH/ – Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, tha se pati sot një “takim shumë të mirë” me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ndërsa Zvicra përpiqet të arrijë një marrëveshje për të shmangur një tarifë shkatërruese prej 39% mbi eksportet e saj drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas Reuters

Sipas një burimi zviceran të njohur me diskutimet, Uashingtoni mund të kërkojë më shumë eksporte energjie dhe të mbrojtjes drejt Zvicrës. Në këmbim, zviceranët po synojnë të ulin taksat doganore mbi mallrat që shesin në SHBA, që është tregu i tyre më i madh i eksportit dhe një blerës i rëndësishëm i orëve zvicerane, makinerive dhe çokollatës.

“Patëm një takim shumë të mirë sot. Kishim një shkëmbim shumë miqësor dhe të hapur” u tha Keller-Sutter gazetarëve pas takimit në Departamentin e Shtetit në Uashington.

Keller-Sutter nuk iu përgjigj një pyetjeje nëse Zvicra do të ofronte diçka më shumë për të shmangur tarifën 39% që është planifikuar të vendoset mbi produktet e saj.

Në rrjetet sociale, Keller-Sutter më pas shkroi se ajo dhe Rubio kishin “diskutuar për bashkëpunimin dypalësh, situatën e tarifave dhe çështje ndërkombëtare”.

Zvicra u trondit javçn e kaluar nga vendimi i presidentit Donald Trump për të aplikuar këtë normë të lartë,një nga më të lartat që ai ka shpallur që nga nisja e riformatimit global të tregtisë , e cila rrezikon të shkaktojë dëme të mëdha në ekonominë eksportuese të Zvicrës.

Keller-Sutter dhe Ministri i Ekonomisë, Guy Parmelin, udhëtuan dje për në Uashington për negociata të minutës së fundit, me qëllim uljen e tarifave para se ato të hyjnë të enjten në fuqi.

Parmelin kishte ngritur më parë mundësinë që Zvicra të blejë gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje më të favorshme.

Sipas një marrëveshjeje që BE arriti me Uashingtonin muajin e kaluar për të siguruar një tarifë më të ulët prej 15%, Brukseli ra dakord të blejë 750 miliardë dollarë në LNG, naftë dhe produkte energjie bërthamore gjatë tre viteve të ardhshme.

Ndërsa BE-ja nuk bëri ndonjë premtim zyrtar për të blerë më shumë armë amerikane, ajo i sygjeroi negociatorëve amerikanë se furnizuesit amerikanë do të përfitonin nga rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, në përputhje me angazhimet më të larta të NATO-s, të rëna dakord nën presionin e Trump-it. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›