E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA - Senati konfirmoi Chuck Hagel si sekretar të mbrojtjes

Senati amerikan konfirmoi Chuck Hagel si sekretar të ardhshëm të mbrojtjes.
 
Senati e miratoi emërimin të martën në një votim 58-41.
 
Veprimi erdhi disa orë pasi Senati votoi për t'i dhënë fund debatit mbi emërimin, duke hapur rrugën për konfirmimin në Senatin e kontrolluar nga demokratët.
 
Z. Hagel, një republikan i cili ka shërbyer si senator, u përball me kritika nga ish-kolegët e tij.
 
Republikanët në Senat  e shtynë një votim të plotë gati dy javë më parë, duke ngritur shqetësime në lidhje me pikëpamjet e tij mbi Lindjen e Mesme dhe madhësinë e arsenalit bërthamor amerikan.
 
Republikanët e kritikuan z. Hagel si tepër të butë ndaj Iranit dhe shumë kritik ndaj Izraelit, dhe sepse në vitin 2007 kishte kundërshtuar shtimin e trupave amerikane në Irak.
 
Pavarësisht kritikave, republikanët në Senat thanë të hënën se do të tërhiqeshin nga bllokimi i procesit të emërimit.

Presidenti Barak Obama e vlerësoi konfirmim, duke thënë se "Shtetet e Bashkuara do të kenë sekretarin e mbrojtjes që vendi ka nevojë dhe udhëheqësin që trupat meritojnë." Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë e quajti z. Hagel -  ushtarin e dekoruar të ish këmbësorisë - një patriot amerikan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›