SHBA – Starmer: Rusia duhet t’i japë menjëherë fund luftës

UASHINGTON, 13 shtator /ATSH/ – Rusia filloi konfliktin në Ukrainë dhe duhet ta përfundojë atë menjëherë, deklaroi kryeministri britanik, Keir Starmer, sipas BBC.
Deklarata vjen pasi presidenti rus Vladimir Putin sugjeroi se Moska do t’i konsideronte raketat perëndimore që lëshoheshin në Rusi si një përshkallëzim serioz të luftës.
Putin i tha televizionit shtetëror rus se kjo “nuk do të thoshte asgjë tjetër përveç pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të vendeve të NATO-s – SHBA dhe vendeve evropiane – në luftën në Ukrainë”.
Starmer është në Uashington për bisedime me presidentin amerikan Joe Biden, ndërsa aleatët e Kievit diskutojnë për t’i dhënë Ukrainës lejen për të gjuajtur raketat e tyre në objektivat brenda Rusisë.
”Rusia e filloi këtë konflikt. Rusia pushtoi ilegalisht Ukrainën. Rusia duhet ta përfundojë këtë konflikt menjëherë”, tha ai.
Starmer dhe sekretari i Jashtëm David Lammy janë pjesë e një përshpejtimi të diplomacisë ndërkombëtare, ndërsa aleatët e Ukrainës diskutojnë se si t’i përgjigjen Iranit që rrit mbështetjen e tij të armëve për Rusinë.
Të dielën, një ditë pas kthimit të kryeministrit nga Uashingtoni, Starmer do të fluturojë drejt Romës për të takuar kryeministren italiane, Georgia Meloni.
Italia aktualisht mban presidencën e radhës të grupit G7 të vendeve të industrializuara.
Një javë më vonë liderët botërorë do të mblidhen në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme vjetore të OKB-së.
Kjo është vizita e dytë e kryeministrit në Uashington në pak më shumë se dy muaj, pasi ka udhëtuar në korrik për Samitin e NATO-s dhe një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, menjëherë pasi fitoi zgjedhjet e përgjithshme.
Starmer tha se nuk do të takohej me kandidaten demokrate për president, Kamala Harris./ a.jor.