E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Britania e Madhe nuk duhet t’i dorëzojë Ishujt Chagos

UASHINGTON, 18 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka kërkuar kryeministrit të Britanisë së Madhe, Keir Starmer të mos ia dorëzojë Ishujt Chagos Mauritiusit, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se kishin miratuar marrëveshjen.

Në një postim në “Truth Social”, presidenti i SHBA-së tha se Starmer do të bënte “një gabim të madh” nëse do të vazhdonte me planet për të dorëzuar ishujt – të cilët ishin shtëpia e një baze të përbashkët ushtarake SHBA-Britani e Madhe.

Sipas planeve, BM-ja do të merrte me qira bazën në Diego Garcia nga Mauritiusi me një kosto prej 35 miliardë paundësh (47,3 miliardë dollarë) gjatë shekullit të ardhshëm.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) tha dje se mbështeste vendimin e Britanisë së Madhe, për të vazhduar me marrëveshjen e saj me Mauritiusin në lidhje me arkipelagun Chagos.

Por, në postimin e tij, Trump tha se qiratë nuk ishin “të mira”, duke shtuar se baza mund të ishte e nevojshme për një sulm ndaj Iranit.

“Starmer nuk duhet të humbasë kontrollin ndaj ishullit Diego Garcia në Oqeanin Indian, duke hyrë në një Kontratë Qiraje, në rastin më të mirë, 100-vjeçare”, tha Trump.

“Kjo tokë nuk duhet t’i merret Britanisë së Madhe dhe, nëse lejohet, do të jetë “një plagë” për Aleatin tonë të Madh”, shtoi ai.

“Ne do të jemi gjithmonë të gatshëm dhe të aftë të luftojmë për Britaninë e Madhe, por ata duhet të mbeten të fortë përballë “Wokeism-it” (qëndrimeve progresive), dhe problemeve të tjera që u dalin përpara. Mos e jepni Diego Garcian”, tha presidenti amerikan.

Trump tha se kryeministri britanik po “humbiste kontrollin mbi këtë ishull të rëndësishëm nga pretendimet e entiteteve të panjohura më parë”.

Ishujt Chagos kanë qenë subjekt i një mosmarrëveshjeje për sovranitet prej disa dekadash – pasi atyre nuk iu dha pavarësia së bashku me pjesën tjetër të Mauritiusit në vitin 1965.

Popullsia e ishullit u dëbua, më pas nga arkipelagu për t’i hapur rrugë bazës dhe është organizuar një fushatë e gjatë për të drejtën e kthimit.

Postimi i Trump përfaqëson ndryshimin e fundit të qëndrimit të tij lidhur me marrëveshjen e Ishujve Chagos.

Më herët në shkurt, ai i kishte mbështetur propozimet, duke thënë se marrëveshja e Starmer ishte “më e mira”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›