E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Rusia mund të zvarrisë armëpushimin në Ukrainë

UASHINGTON, 26 mars /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump tha se Rusia dëshiron t’i japë fund luftës së saj me Ukrainën, por sugjeroi se Moska mund të vonojë nënshkrimin e një marrëveshjeje armëpushimi me Ukrainën, pasi Kremlini kundërshtoi llogaritë e marrëveshjeve të bëra me SHBA, sipas CNN.

“Unë mendoj se Rusia dëshiron t’i japë fund luftës, por mund të ndodhë që ata ta zvarrisin. Unë e kam bërë për vite me rradhë”, tha dje në mbrëmje Trump për kanalin kabllor të krahut të djathtë “Newsmax”.

“Unë mendoj se Rusia do të donte ta shihte fundin dhe mendoj se edhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do të donte ta shihte fundin në këtë pikë”, tha Trump.

Deklarata e tij erdhi vetëm disa orë pasi Rusia tha se do të zbatonte marrëveshjen e ndërmjetësuar nga SHBA-ja për të ndaluar sulmet në Detin e Zi – pasi të hiqen disa nga sanksionet e vendosura ndaj bankave dhe eksporteve të saj për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Pas disa ditësh negociatash të veçanta me zyrtarët ukrainas dhe rusë në Arabinë Saudite, Shtëpia e Bardhë njoftoi dje se të dy palët kishin rënë dakord për të garantuar lundrim të sigurt, për të eliminuar përdorimin e forcës dhe për të parandaluar përdorimin e anijeve tregtare për qëllime ushtarake në Detin e Zi.

Por, ndërsa Zelensky konfirmoi në një konferencë për shtyp se Ukraina kishte rënë dakord të ndalonte përdorimin e forcës ushtarake në Detin e Zi, Kremlini lëshoi një ​​​​deklaratë lidhur me bisedimet, e cila përfshinte kushte të gjera për nënshkrimin e armëpushimit të pjesshëm.

Kushtet përfshinin heqjen e sanksioneve ndaj bankës së saj bujqësore dhe institucioneve të tjera financiare dhe kompanive të përfshira në eksportimin e ushqimeve dhe rilidhjen e tyre me sistemin e pagesave ndërkombëtare SWIFT.

Deklarata e SHBA-së nuk përmendi heqjen e sanksioneve si parakusht për armëpushimin.

Duke folur me gazetarët dje pasdite, Trump tha se administrata e tij po shqyrtonte kushtet e Rusisë.

“Ne po mendojmë për të gjitha ato tani. Janë pesë ose gjashtë kushte. Ne po i shikojmë të gjitha”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë tha se Rusia dhe Ukraina gjithashtu kishin rënë dakord të zbatonin një pauzë të paralajmëruar në sulmet kundër infrastrukturës energjetike.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha sot se Rusia kishte ndalur shënjestrimin e infrastrukturës energjetike që nga 18 marsi, kur Trump dhe Putin zhvilluan një telefonatë në të cilën diskutuan propozimin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›