SHBA – Trump: Spanja meriton të përjashtohet nga NATO-ja për shpenzime të pamjaftueshme ushtarake

UASHINGTON, 9 tetor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump tha sot se Spanja e meritonte të përjashtohej nga NATO-ja për shpenzime të pamjaftueshme ushtarake.
“Kishim një të vonuar dhe ajo ishte Spanja”, tha presidenti amerikan në Zyrën Ovale, duke iu referuar marrëveshjes së Aleancës Atlantike për të ndarë 5% të PBB-së së vendeve anëtare për shpenzimet e mbrojtjes.
“Ata nuk kanë justifikim për të mos e bërë këtë… Sinqerisht, ndoshta duhet t’i përjashtojmë nga NATO-ja”, tha ai.
Në qershor, vendet e NATO-s u zotuan të rrisnin ndjeshëm shpenzimet e tyre ushtarake, në një samit në Hagë, një “fitore e madhe” e pretenduar nga Donald Trump.
Në detaje, aleatët njoftuan se do të ndanin “të paktën 3,5% të PBB-së” për shpenzimet e tyre ushtarake dhe një 1,5% shtesë për sigurinë në kuptimin më të gjerë, siç është “mbrojtja e infrastrukturës së rëndësishme” dhe mbrojtja e “rrjeteve”.
Këto nivele do të ishin të vështira për t’u arritur, paralajmëruan në atë kohë disa udhëheqës evropianë, përfshirë kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez.
Ky i fundit përdori “fleksibilitete” për të shmangur përmbushjen e objektivit prej 5%, një objektiv që ai e konsideroi “të paarsyeshëm”.
Presidenti amerikan e kritikoi menjëherë Spanjën./ a.jor.