SHBA – Trump fiton në Apel duke lejuar që tarifat të qëndrojnë në fuqi

UASHINGTON, 30 maj /ATSH-DPA/ – Një gjykatë apeli ka hequr përkohësisht bllokadën e pothuajse të gjitha tarifave të vendosura nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, e cila ishte urdhëruar nga një gjykatë më e ulët.
Gjykata e Apelit e SHBA-së për Qarkun Federal, e cila lëshoi pezullimin, tani po shqyrton çështjen.
”Palëve u është kërkuar të paraqesin deklarata të mëtejshme”, tha gjykata.
Administrata e Trump kishte ndërmarrë më parë veprime ligjore kundër vendimit të Gjykatës së Tregtisë Ndërkombëtare në Nju Jork, e cila kishte shpallur pothuajse të gjitha tarifat e presidentit si të paligjshme.
Pak para se të lëshohej urdhri i gjykatës së apelit, Shtëpia e Bardhë e kishte kritikuar ashpër vendimin e gjykatës dhe kishte thënë se ishin nisur veprime ligjore kundër tij.
Gjyqtarët kishin “abuzuar në mënyrë të paturpshme me pushtetin e tyre gjyqësor për të uzurpuar autoritetin e Trump”, tha zëdhënësja e tij Karoline Leavitt në Uashington.
”Qeveria amerikane u përball përsëri me një shembull të tejkalimit gjyqësor”, theksoi ajo.
”Arsyetimi i Trump për futjen e tarifave të larta ishte ligjërisht i shëndoshë dhe i bazuar në logjikën e shëndoshë”, pohoi ajo.
”Në interes të vendit, Gjykata Supreme e SHBA-së duhet t’i japë fund përfundimisht çështjes, tha ajo, duke shtuar se Trump do të vazhdojë politikën e tij tregtare. Ai gjithashtu ka kompetenca të tjera ligjore për të vendosur tarifa”, theksoi Leavitt./ a.jor.