E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Trump i jep ultimatum Hamasit për lirimin e pengjeve izraelite

UASHINGTON, 11 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump i dha dje në mbrëmje një ultimatum organizatës militante palestineze Hamas: lironi të gjithë pengjet e mbetur që mbahen në Gazë ose do të përballeni me pasoja të rënda.

Trump foli në favor të përfundimit të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, e cila hyri në fuqi më 19 janar për gjashtë javët fillestare, në rast se të gjithë pengjet e mbetur nuk liroheshin deri në “të shtunën në orën 12”.

Presidenti amerikan nuk specifikoi se cilës zonë kohore i referohej.

“Nëse kjo nuk ndodh, i gjithë ferri do të shpërthejë”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Trump theksoi se vendimi i takon Izraelit. “Unë po flas për veten time. Izraeli mund ta kapërcejë atë,” tha ai.

Trump nuk specifikoi se me çfarë pasojash mund të përballet Hamasi nga SHBA-ja.

Presidenti amerikan vazhdoi duke thënë se ai nuk priste që Hamasi të përmbushte kërkesën e tij.

“Unë nuk mendoj se ata do të përmbushin kërkesën time.. Unë mendoj se shumë nga pengjet kanë vdekur. Mendoj se është një tragjedi e madhe njerëzore”, tha Trump.

Zëdhënësi i Hamasit, Abu Obeida tha dje se grupi po shtynte për një kohë të pacaktuar lirimin e grupit të radhës të pengjeve izraelitë që mbaheshin në Gaza, duke thënë se Izraeli nuk kishte respektuar kushtet e marrëveshjes së armëpushimit.

Tre pengje të tjerë ishin planifikuar të liroheshin të shtunën në këmbim të dhjetëra të burgosurve palestinezë si pjesë e marrëveshjes.

“Kjo do të jetë e mundur vetëm nëse Izraeli i përmbahet marrëveshjes sërish”, tha Hamasi.

Izraeli ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat se po shkel marrëveshjen. Zëdhënësi i qeverisë izraelite David Mencer ka mohuar në veçanti se Izraeli ka bllokuar dërgesat e ndihmave në Rripin e Gazës.

Ndalimi i lirimeve të pengjeve ka vënë në rrezik armëpushimin në territor. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz e vendosi ushtrinë – e stacionuar ende në Rripin e Gazës – në gatishmëri të lartë.

Hamasi deri më tani ka liruar 16 nga gjithsej 33 pengje izraelite në pesë raunde sipas fazës së parë të armëpushimit në vazhdim.

Ai ka liruar gjithashtu pesë shtetas tajlandez, të cilët nuk ishin përfshirë në marrëveshje.

Në këmbim, Izraeli ka liruar 583 të burgosur palestinezë, nga 1 904 e planifikuar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›