SHBA – Trump i kërkon Putinit të bëjë marrëveshje me Ukrainën ‘tani’ ose të përballet me tarifa, sanksione

UASHINGTON, 22 janar /ATSH-AFP/- Presidenti i SHBA-se Donald Trump i tha sot homologut të tij rus Vladimir Putin të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së rëndë në Ukrainë “tani” ose do të përballet me rritje tarifash dhe më shumë sanksione.
“Nëse nuk bëjmë një marrëveshje së shpejti, nuk kam zgjidhje tjetër veçse të vendos nivele të larta taksash, tarifash dhe sanksionesh për çdo gjë që Rusia i shet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse”, tha Trump në rrjetin e tij social “Truth”.
Trump tha se ai nuk po kërkonte të dëmtonte Rusinë dhe se”kishte gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Putin, një lider për të cilin ai ka shprehur admirim në të kaluarën.
“Unë do t’i bëj Rusisë një favor shumë të madh, ekonomia e së cilës po dështon. Zgjidheni tani dhe ndaloni këtë luftë qesharake! Vetëm do të përkeqësohet situata”, tha Trump.
Trump mbajti një qëndrim të ashpër gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të martën, kur tha se ishte e mundur se ai do të zbatonte sanksione shtesë nëse Putini nuk do të ulej në tavolinën e bisedimeve.
Presidenti amerikan refuzoi gjithashtu të thoshte nëse ai do të vazhdonte politikën e paraardhësit të tij Joe Biden për dërgimin e armëve në Ukrainë për të luftuar pushtimin rus, të nisur në shkurt 2022.
“Ne po e shikojmë këtë. Jemi duke folur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, do të flasim shumë shpejt edhe me presidentin Putin”, tha ai në konferencën për shtyp. //a.i/