E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Trump lëshon paralajmërimin e fundit për Hamasin për lirimin e pengjeve

UASHINGTON, 6 mars /ATSH/ – Presidenti Donald Trump lëshoi dje atë që ai e quajti një “paralajmërim të fundit” për Hamasin për të liruar të gjithë pengjet e mbetura, të mbajtura në Gaza, duke drejtuar një mesazh të formuluar ashpër, pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi se ai kishte dërguar së fundmi një të dërguar për bisedime të drejtpërdrejta të paprecedentëa me grupin militant, sipas AP.

Në një deklaratë në platformën e tij Truth Social, menjëherë pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me tetë ish-pengje, Trump shtoi se ai po i dërgonte Izraelit gjithçka që i nevojitet për të përfunduar punën.

”Lironi të gjithë pengjet tani, jo më vonë, dhe kthejini menjëherë të gjithë trupat e pajetë të njerëzve që vratë ose këtu mbaron gjithçka për ju”, tha Trump.

Gjuha e ashpër nga Trump erdhi pasi Shtëpia e Bardhë tha dje se zyrtarët amerikanë janë angazhuar në “bisedime dhe diskutime të vazhdueshme” me zyrtarët e Hamasit, duke u larguar nga një politikë e gjatë e SHBA-së për të mos u angazhuar drejtpërdrejt me grupin militant.

Konfirmimi i bisedimeve në kryeqytetin e Katarit, Doha, erdhi pasi armëpushimi Izrael-Hamas mbetet në ekuilibër.

Ky është angazhimi i parë i njohur i drejtpërdrejtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Hamasit që kur Departamenti i Shtetit e cilësoi grupin një organizatë të huaj terroriste në 1997.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt nuk pranoi të jepte detaje mbi thelbin e bisedimeve, por tha se presidenti Donald Trump ka autorizuar të dërguarit e tij që të “bisedojnë me këdo”./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›