E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv që mbron Katarin në rast sulmi

UASHINGTON, 1 tetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që parashikon që SHBA-ja të garantojë sigurinë e Katarit – një angazhim i rëndësishëm ndaj një aleati arab jo-anëtar të NATO-s, sipas CNN.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta konsiderojnë çdo sulm të armatosur ndaj territorit, sovranitetit ose infrastrukturës së rëndësishme të Shtetit të Katarit si një kërcënim për paqen dhe sigurinë e SHBA-së”, thuhet në urdhër, i cili mban datën 29 shtator.

Urdhri vjen ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë një vizite të hënën në Shtëpinë e Bardhë, i kërkoi falje në telefon kryeministrit të Katarit për sulmin e Izraelit në Doha, muajin e kaluar.

Trump, në një paraqitje të përbashkët me Netanyahun, më pas paraqiti planin e tij me 20 pika për paqen në Gaza, i cili, ndryshe nga një version i mëparshëm i paraqitur udhëheqësve arabë, nuk përmend konkretisht se Izraeli nuk do ta sulmojë Katarin.

Urdhri i Trump thotë se SHBA-ja do të marrë të gjitha masat e ligjshme dhe të përshtatshme për të mbrojtur Katarin.

“Në rast të një sulmi të tillë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërmarrin të gjitha masat e ligjshme dhe të përshtatshme – duke përfshirë ato diplomatike, ekonomike dhe, nëse është e nevojshme, ushtarake – për të mbrojtur interesat e SHBA-së dhe të Shtetit të Katarit dhe për të rivendosur paqen dhe stabilitetin”, thuhet në urdhrin ekzekutiv.

Urdhri shënon një arritje të rëndësishme për Katarin, i cili – ashtu si shtetet e tjera të pasura arabe të Gjirit – ka kërkuar prej kohësh një garanci më të fortë sigurie nga SHBA-ja.

Në vitin 2022, Katari u caktua zyrtarisht një aleat i madh jo anetar i NATO-s nga administrata Biden, duke i dhënë atij privilegje të zgjeruara ushtarake dhe mbrojtëse.

Ai gjithashtu strehon Bazën Ajrore Al Udeid, një nga qendrat më të mëdha ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, duke theksuar lidhjet tashmë të thella të sigurisë midis Dohas dhe Uashingtonit.

Gjatë vizitës së tij në SHBA në fillim të këtij viti, Trump u zotua publikisht të “mbrojë” Katarin, një premtim i bërë mes njoftimeve për gati 3 trilionë dollarë marreveshje ekonomike nga Doha dhe shtetet e tjera arabe të Gjirit.

Që atëherë, Katari është sulmuar dy herë, nga Irani dhe Izraeli.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kërkuar gjithashtu garanci më të fortë sigurie nga SHBA-ja. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›