E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump paralajmëron Evropën: Tarifa 100% nëse vendosen taksa për shërbimet digjitale të kompanive amerikane

UASHINGTON, 26 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump paralajmëroi sot, se do të vendosë tarifa prej 100% ndaj mallrave evropiane, nëse vendet e Evropës miratojnë taksat për shërbimet digjitale, që synojnë kompanitë amerikane të teknologjisë.

Në një postim në rrjetin social “Truth Social”, Trump deklaroi se një numër vendesh evropiane, po shqyrtojnë vendosjen e këtyre taksave dhe se disa prej tyre janë shumë pranë miratimit.

“Çdo vend që vendos një taksë të tillë, do të përballet menjëherë me një tarifë 100% për të gjitha mallrat që eksporton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump.

Ai shtoi se kjo masë do të ketë përparësi ndaj çdo marrëveshjeje ekzistuese tregtare dhe do të hyjë në fuqi menjëherë, sapo këto taksa të miratohen.

Taksa për shërbimet digjitale parashikon që, kompanitë e mëdha të teknologjisë, të paguajnë tatime, në vendet ku gjenerojnë të ardhura, edhe nëse nuk kanë zyra apo prani të konsiderueshme fizike në ato tregje. //a./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›