SHBA – Trump premton një paketë shpëtimi prej 20 miliardë dollarësh për Argjentinën

UASHINGTON, 16 tetor /ATSH/- Paketa e shpëtimit prej 20 miliardë dollarësh e presidentit Donald Trump për ekonominë e Argjentinës ka ngritur alarmin në SHBA, veçanërisht midis fermerëve amerikanë që kërkojnë me dëshpërim ndihmë për t’u përballur me krizën e të korrave – të shkaktuar nga lufta e tij tregtare me Kinën, sipas “abcnews”.
Presidenti i Argjentinës, Javier Milei u takua të martën në Shtëpinë e Bardhë me Trump dhe zyrtarët e lartë të SHBA-së, përfshirë sekretarin e Departamentit Amerikan të Thesarit, Scott Bessent.
Takimi erdhi gati një javë pasi Bessent njoftoi planin e shpëtimit financiar prej 20 miliardë dollarësh – që përfshinte një kuadër shkëmbimi valutor me Bankën Qendrore të Argjentinës që synonte mbështetjen e pesos argjentinase.
“Ne thjesht duam ta shohim Argjentinën të ecë mirë,” u tha Trump gazetarëve gjatë takimit.
Në një postim në X javën e kaluar, Bessent tha se SHBA-ja kishte finalizuar një paketë prej 20 miliardë dollarësh, ose një kredi, me Bankën Qendrore të Argjentinës, ku Departamenti Amerikan i SHBA-së do të shkëmbejë dollarin me peso.
Departamenti Amerikan i Thesarit nuk ka publikuar asnjë detaj në lidhje me kushtet e marrëveshjes me Bankën Qendrore të Argjentinës.
Bessent tha se SHBA-ja po mbështet reformat ekonomike të një aleati kyç të Amerikës së Jugut dhe po avancon me interesat strategjike të SHBA-së në rajon.
“SHBA-ja po shqyrton një tjetër paketë shpëtimi prej 20 miliardë dollarësh për Argjentinën, të financuar nga bankat private dhe fondet sovrane të pasurisë”, tha dje ai.
“Është një zgjidhje e sektorit privat për pagesat e ardhshme të borxhit të Argjentinës, dhe shumë banka janë të interesuara për të, dhe shumë fonde sovrane kanë shprehur interes për të qenë pjesë e saj”, tha Bessent për gazetarët. //a.i/