SHBA – Zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Bongino do të japë dorëheqjen në janar

UASHINGTON, 18 dhjetor /ATSH-DPA/- Dan Bongino njoftoi dje në mbrëmje se do të japë dorëheqjen si zëvendësdrejtor i FBI-së.
Bongino tha në një postim në X se do të largohej nga pozicioni i tij në FBI në janar.
“Dan bëri një punë të shkëlqyer. Mendoj se ai kërkon t’i rikthehet emisionit te tij”, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump duke komentuar dorëheqjen e tij para gazetarëve – i cili e ndihmoi mbështetësin e tij besnik të merrte pozicionin e lartë në zbatimin e ligjit, pavarësisht se Bongino nuk kishte përvojë në FBI.
Para emërimit të tij si zëvendësdrejtor i FBI-së, Bongino punonte si komentator televiziv në “Fox News” dhe në podkastet e tij.
Bongino kishte përhapur pretendimin se vetëvrasja e Epstein me varje në burg mund të ketë qenë një vrasje nga elitat me ndikim. Pasi u ngrit në nivelin më të lartë të agjencisë së fuqishme federale, Bongino u ripërshtat me versionin zyrtar se Epstein vrau veten.
Sipas raportimeve të medias, Bongino pati një përplasje me prokuroren e përgjithshme, Pam Bondi lidhur me trajtimin e dosjeve të Epstein, duke u ankuar për mungesë transparence.
Ashtu si Bongino, drejtori aktual i FBI-së, Kash Patel, konsiderohet një besnik i vendosur i Trump me një prirje për teoritë e konspiracionit. //a.i/