SHBA – Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance viziton Groenlandën

NUUK, 25 mars /ATSH-AFP/ – Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance njoftoi sot se do t’i bashkohej vizitës së planifikuar të bashkëshortes së tij, Usha Vance në Groenlandë të premten, territori autonom danez i lakmuar hapur nga presidenti Donald Trump.
”Do t’i bashkohem asaj”, tha ai në një video të postuar në platformën X.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha sot se vizita e Usha Vance përbënte “presion të papranueshëm” mbi Mbretërinë e Danimarkës, e cila përfshin territorin autonom.
JD Vance, i cili ka mbajtur qëndrime veçanërisht të ashpra në politikën e jashtme, veçanërisht në lidhje me aleatët evropianë të Shteteve të Bashkuara, do të vizitojë bazën hapësinore ”Pituffik”, një bazë e degës hapësinore të ushtrisë amerikane.
JD Vance thotë se ai do të shqyrtojë gjithashtu çështjet e “sigurisë” që përfshijnë ishullin e madh Arktik pasi të jetë atje.
”Shumë vende të tjera kanë kërcënuar Groenlandën, kanë kërcënuar se do të përdorin territorin dhe ujërat e saj për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara”, siguroi nënpresidenti amerikan, duke i bërë jehonë argumentit të Donald Trump.
Për këtë të fundit, aneksimi i Groenlandës do të përmbushte një imperativ sigurie kombëtare për Shtetet e Bashkuara dhe madje edhe për të gjithë botën./ a.jor.