E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA-BE: Ukraina s’mund të kishte një mbështetëse më të mirë se Shqipëria në Këshillin e Sigurimit

24 shkurti shënon 2 vjetorin e pushtimit të padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Në këto dy vite Shqipëria ka treguar mbështetje të madhe ndaj popullin ukrainas, të cilët vijojnë të tregojnë trimëri e të mos dorëzohen për liri. Bashkia e Tiranës ka organizuar edhe një manifestim ku populli shqiptarë është solidarizuar me popullin ukrainas.

Gjatë këtij manifestimi BE dhe SHBA shprehën angazhimin e tyre të palëkundur për të mbështetur Ukrainën deri në çlirimin e saj, duke e cilësuar këtë fitore jo vetëm për sigurinë e Evropës por të gjithë botës.

Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato tha se Ukraina nuk mund të kishte një mbështetëse më të mirë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Shqipëria.

“U bënë dy vite nga pushtimi rus në Ukrainë dhe më vjen mirë që shoh ende kaq shumë mbështetje për popullin e Ukrainës. Që në ditën e parë BE dhe Shqiptaria qëndruan në krah për të dënuar sulmin rus dhe për të mbështetur Ukrainën të vetëmbrohet. Shqipëria ka treguar veten me një mbështetje të paprecedentë si polikë ashtu edhe materiale. Në KS të OKB-së pash me sytë e mi angazhimin e  mrekullueshëm të Shqipërisë kundrejt Ukrainës. Shqipëria i ka bërë ballë bullizimit të Rusisë dhe ka mobilizuar solidaritetin ndërkombëtarë për Ukrainën. Ukraina nuk mund të kishte një mbështetëse më të mirë në KS dhe BE nuk mund të kishte partnerë më të mirë. Kjo qëndresë nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën por për paqen ndërkombëtare duke u bazuar në rregullat. Mbështetja dhe fitorja e Ukrainës do të thotë fitore jo vetëm për Evropën por për të gjithë botën, ndërsa fitorja e Rusisë do të thotë cenim i sigurisë në botë. Ukrainasit vazhdojnë të bëjnë qëndresë de të rindërtojnë e të besojnë tek e ardhmja. Ne u themi atyre se SHBA, BE dhe Shqipëria do të bëjnë gjithçka që duhet në mënyrë që Ukraina të fitojë”, tha Gonzato.

Edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA në Shqipëri, David Wisne tha se SHBA dhe Shqipëria do të vijojnë të qëndrojnë krahë për krahë Ukrainës.

“Shqipëria është shfaqur një partner i vërtet i Ukrainës falë mbështetjes humanitare. Shqipëria ka qenë një partner fenomenal i SHBA dhe Ukrainës. Pa rezervim duhet të dënojmë agresionin e Rusisë dhe të dokumentojmë krimet e luftës dhe mizoritë ndaj burrave, grave dhe fëmijëve që ndodhin në Ukrainë. Ukrainasit kanë treguar trimëri mbresëlënëse. Ne qëndrojmë krah për krah Ukrainës”, tha Wisner

Fjalën në manifestime e mbajti edhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, i cili vlerësoi mbështetjen e madhe që i është dhënë popullit të tij. Në dy vite luftë , tha ambasadori, populli ukrainas ende shpreson se do të ketë një të ardhme të lirë.

Ambasadori Shkurov u bëri thirrje vendeve që të ndihmojnë Ukrainën me sistemet e mbrojtjes ajrore.

“Rusia ka rritur numrin e sulmeve mbi Ukrainë duke dëmtuar popullin dhe shkatërruar ndërtesat civile, shkolla e spitale që kanë shërbyer dhe si vendstrehime. Falenderoj Bashkinë e Tiranës për ndihmën që kanë dhënë në rindërtimin e një shkolle në Karkiv. I bëjmë thirrje të gjitha vendeve që të dënojnë sulmet terroriste ruse dhe të na japin mundësinë e furnizimit me sistemet e mbrojtjes ajrore të dronëve dhe raketave me rreze të gjatë veprimi. Falenderoj partnerët e BE, NATO dhe vendet e tjera që kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar. Falenderoj edhe qeverinë shqiptare për solidaritetin që kanë dhënë për Ukrainën dhe drejtimit që Shqipëria ka pasur në Këshillin e Sigurimit dhe ndihmën financiare. Falenderoj dhe popullin shqiptar për ndihmën e madhe që ka dhënë për popullin ukrainas. Shpresoj gjithmonë për paqe dhe prosperitet”, tha Shkurov.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›