E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-Kanada,100 të vdekur nga virusi H1N1

Epidemia e gripit të derrave A(H1N1) ka shkaktuar 100 të vdekur në Kanada dhe në SHBA, ndërsa janë regjistruar më shumë se 27 000 raste, sipas bilanceve të fundit të bërë publike në këto dy vende. Në Uashington, qendrat e kontrollit dhe parandalimit të sëmundjeve njoftuan për 87 të vdekur dhe për 21 500 raste "të mundshme ose të konfirmuara" deri më 18 qershor. Bilanci i mëparshëm, i bërë para një jave fliste për 45 të vdekur të konfirmuar në një numër të përgjithshëm prej 17 800 rastesh. SHBA që numëron tashmë më shumë raste të infektuarësh se Meksika, po bëhet gati ta kalojë atë gjithashtu, edhe për nga numri i të vdekurve. Sipas shifrave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), gripi i derrit ka shkaktuar deri tani 113 të vdekur në Meksikë dhe më shumë se 7 000 të infektuar. Në Kanada, vendi i tretë në botë më i prekur, autoritetet sanitare njoftuan dje për një vdekje tjetër, e trembëdhjeta në një numër prej 5 710 rastesh të konfirmuara. Tetëqind e pesë raste të reja janë numëruar këto ditët e fundit në Kanada, 233 nga të cilat në Kebek, ku janë regjistruar shtatë të vdekur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›