SHBA: ODIHR identifikoi mangësi, qeveria bëri presione problematike gjatë fushatës elektorale

Tiranë, 16 shtator NOA Ambasada e SHBA-së në Shqipëri ka lëshuar sot një deklaratë në lidhje me raportin e ODIHR mbi Zgjedhjet Parlamentare në Shqipëri.
Sipas deklaratës së ambasadës, raporti i ODIHR identifikoi mangësi në këto zgjedhje.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë me kënaqësi publikimin më 14 shtator nga Zyra për Institucione Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të OSBE-së të raportit përfundimtar mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Mirëpresim përmirësimet e bëra në krahasim me zgjedhjet e kaluara të përshkruara në raport, siç është kuadri i përmirësuar ligjor dhe procesi i regjistrimit të votuesve thuhej në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së lëshuar ditën e sotme.
Këto zgjedhje shënuan përmirësim të prekshëm në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Raporti i ODIHR gjithashtu identifikoi mangësi. U shënuan probleme lidhur me numërimin dhe regjistrimin e votave, si edhe me anshmërinë e medias për partitë kryesore politike. Po ashtu, ODIHR nxjerr në pah veprime dhe presione problematike nga partitë politike dhe qeveria gjatë fushatës elektorale thuhej më tej në deklaratë.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxisin qeverinë shqiptare dhe të gjitha partitë politike shqiptare që ta shfrytëzojnë këtë raport dhe rekomandimet e tij për të përmirësuar zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme.
Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të punuar me qeverinë shqiptare, OSBE-në dhe Bashkimin Evropian për tu marrë me fushat e shënuara për përmirësim.
k.k/NOA