SHBA: Putin nuk është i sinqertë për bisedimet e paqes me Ukrainën

Zëvendës sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland ka hedhur në dyshim sinqeritetin e presidentit rus Vladimir Putin, lidhur me dëshirën për nisjen e bisedimeve për paqe me Ukrainën.
“Diplomacia është padyshim qëllimi i të gjithëve, por ju duhet të keni një partner të gatshëm. Dhe është absolutisht e qartë, qoftë nga sulmet ndaj energjisë, qoftë nga retorika dhe qëndrimi i përgjithshëm i Kremlinit, se Putini nuk është i sinqertë apo i gatshëm për këtë”, tha ajo.
Presidenti i SHBA Joe Biden është shprehur i gatshëm të bisedojë me Putin për t’i dhënë fund luftës. Por, si përgjigje, Kremlini thotë se Perëndimi duhet të njohë aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia. Ndaj për Nuland, ky reagim tregon se sa serioz është situata.
Ajo akuzoi Putin se ka çuar këtë luftë në një nivel të ri brutaliteti, pasi ka kryer sulme të rënda në infrastrukturën energjetike të Ukrainës që nga tetori, duke dëmtuar rëndë rrjetin elektrik, duke lënë miliona pa energji elektrike dhe ngrohje.
“Putini e ka çuar këtë luftë në një nivel të ri brutaliteti, duke e sjellë atë në çdo shtëpi ukrainase, ndërsa ai përpiqet të fikë dritat dhe ujin dhe të arrijë atë që nuk arriti të arrijë në fushën e betejës”, tha Nuland.
/rtsh.al/