E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA/ Qëllohen me armë dy ushtarë të Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë

Dy ushtarë të Gardës Kombëtare janë qëlluar këtë të mërkurë, 26 nëntor, pranë Shtëpisë së Bardhë. Siç raportojnë mediat e huaja, gjendja e tyre nuk dihet për momentin, ndërsa automjete të emergjencës kanë shkuar në zonë.

Një i dyshuar ka rënë në pranga, bazuar në njoftimin e Policisë Metropolitane të Washington D.C.

“Zona është e siguruar. Një i dyshuar është arrestuar”, shkruhet në faqen e departamentit në “X”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ishte në fushën e tij të golfit në West Palm Beach në Florida kur ndodhi ngjarja. Ai ka reaguar i tronditur në rrjetin e tij social, Truth, ku shkruan:

“Personi që qëlloi dy anëtarët e Gardës Kombëtare, të cilët janë në gjendje kritike, është gjithashtu rëndë i plagosur, por pavarësisht nga kjo, do të paguajë një çmim shumë të lartë! Zoti bekoftë Gardën tonë Kombëtare, si dhe të gjithë Forcat e Armatosura dhe ato policore!”

View this post on Instagram

A post shared by ABC News Albania (@abcnewsal)

Si funksionon Garda Kombëtare?

Të 50-të shtetet e SHBA-ve, Washington D.C. apo territoret e Guam, Puerto Rico, kanë kontingjentet e tyre të Gardës Kombëtare. Disa njësi janë të specializuara në luftimin e zjarreve ose sigurimin e kufirit amerikan, dhe mund të dërgohen edhe jashtë vendit.

Anëtarët e Gardës Kombëtare raportojnë te Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-ve, dhe mund të federalizohen ose të vendosen nën kontrollin e presidentit në rrethana të caktuara. Megjithatë, kërkesat për mbështetje zakonisht fillojnë në nivel shteti.

Trupat e Gardës Kombëtare kanë fuqi të kufizuar. Ata nuk kryejnë dot arrestime siç bën policia lokale. Garda Kombëtare u dërgua në Washington D.C. në gusht, si pjesë e asaj që Presidenti Trump e quajti një operacion për të goditur kriminalitetin.

Sa i takon ngjarjes, priten më shumë detaje në vijim, teksa rrethanat mbeten të paqarta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›