SHBA dekoron kufitaret ne Kakavije
4.7 tonë mariuanë me destinacion Greqinë çojnë zv/ambasadorin amerikan Henry Jardine në Kakavijë.
Sasia e drogës e bllokuar vetëm tre muajt e fundit nga Policia Kufitare e Gjirokastrës, bënë që ambasada amerikane të shprehë vlerësimet për policinë shqiptare.
“Dua të nënvizoj bashkëpunimin mes qeverisë së SHBA me Policinë Shqiptare dhe të shprehja vlerësimin për punën e vështirë që bëjnë. Ne e kuptojmë që kjo punë është e vështirë me orë të gjata dhe kushte të vështira por ata janë në vijën e parë të mbrojtjes së vendit tuaj. Shqipëria është partner shumë i rëndësishëm në NATO dhe synon të aderojë në BE dhe puna kryesore kryhet këtu në vijën e parë”- u shpreh zv/ambasadori amerikan Henry Jardine.
Drejtuar nga kreu rajonal i policisë kufitare Admir Abrija, ky operacion konsiderohet nga me të suksesshmit në Policinë shqiptare.
Bllokimi i 3. 3 tonë mariuanë një muaj më parë në Gjirokaster ishte edhe aksioni më i fuqishëm që u përshëndet nga ambasadori Arvizu.
Jardine vlerësoi me dekorata pesë punonjësit e policisë kufitare të cilët ishin në detyrë natën e këtij operacioni në Kakavijë.