SHBA dhe BE drejt vendosjes së tarifave të reja deri në 100% për blerësit kryesorë të naftës ruse

Bashkimi Evropian është dakord të koordinojë hapat me Shtetet e Bashkuara, deklaroi një zyrtar amerikan për agjencinë AFP të martën.
Presidenti amerikan Donald Trump mori pjesë për pak minuta në mënyrë virtuale në një diskutim mes zyrtarëve amerikanë dhe evropianë lidhur me masat që po shqyrtohen.
Diskutimet mund të çojnë në vendimin që Brukseli të shpallë tarifa doganore shtesë prej 50% deri në 100% për disa produkte të importuara nga Kina dhe India, dy ndër blerësit më të mëdhenj të naftës së papërpunuar ruse, sipas të njëjtit burim.
Ndërkohë, në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump deklaroi se përfaqësues të qeverive të SHBA-së dhe Indisë po zhvillojnë bisedime për të kapërcyer pengesat në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, duke paralajmëruar gjithashtu një komunikim të drejtpërdrejtë të tij me kryeministrin indian, Narendra Modi.